RRGGK ishte shumë aktiv në shqyrtimin e projektkushtetutës së re të Kosovës nga perspektiva gjinore dhe në dhënien e rekomandimeve për Komisionin për Hartimin e Kushtetutës. RRGGK përfshiu organizatat e veta anëtare, aktivistët dhe qytetarët në dhënien e rekomandimeve për Komisionin. Anëtarët e komisionit, ekspertë të jurispo dencës, ekspertë të çështjeve gjinore dhe përfaqësues të BE-së morën pjesë në takime gjatë të cilave arritën të dëgjojnë brengat e qytetarëve.
Më 25 shkurt, RRGGK dhe Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) organizuan një debat lidhur me Kushtetutën me gratë parlamentare në Kuvend. Një nga çështjet kryesore që u ngritën ishte përfshirja e kuotës së përfaqësimit prej së paku 40% të të dyja gjinive në të gjitha nivelet e qeverisjes, përfshirë në Kuvend the ministri.
Më 26 shkurt, Zyra Këshillëdhënëse për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit organizoi një debat në të cilin përfaqësuesja e RRGGK-së foli mbi projektkushtetutën nga perspektiva gjinore. Ajo tha që projektkushtetuta ishte mjaft e zbehtë sa i përket sigurimit të balancit gjinor në të gjitha nivelet e vendimmarrjes politike, si dhe në sigurimin e të drejtave njerëzore të grave.
Më 1 mars, anëtaret e RRGGK-së më tej diskutuan Kushtetutën me përfaqësueset të Komisionit për Hartimin e Kushtetutës Ministren e Drejtësisë Znj. Nekibe Kelmendi, Lirije Osmanin dhe Gjyjleta Mushkolaj dhe eksperten për çështje gjinore Vjosa Dobrunën, në Restorantin Hani i 2 Robertëve.
Krahas çështjes së kuotës u debatua nëse do duhej përfshirë në Kushtetutë edhe Rezolutën 1325. Përderisa një anëtare e Komisionit mendonte se kjo rezolutë është tejet ambicioze për tu implementuar nga institucionet e Kosovës dhe se nuk do duhej përfshirë, aktivistet e argumentuan këtë duke theksuar se ajo duhet përfshirë në mënyrë që Kosova t’i përmbahet standardeve ndërkombëtare. Përfshirja e Rezolutës 1325 në Kushtetutë do t’i siguronte aktivistëve kornizën ligjore për të kërkuar nga qeveria implementimin e saj.
Në fund të takimit, RRGGK i dorëzoi Ministres Nekibe Kelmendi një shpërblim në shenjë mirënjohje për përkrahjen e jashtëzakonshme që ajo i ka dhënë të drejtave të grave.
Më 2 mars, RRGGK i dërgoi Komisionit rekomandimet e veta lidhur me Kushtetutën sipas të cilave ajo do duhej të përfshijë:
- Kuotën e pjesëmarrjes prej 40 përqind në të gjitha nivelet e qeverisë, sipas Ligjit për Barazinë Gjinore;
- Rezolutën e KS të OKB-së në listën e konventave dhe instrumenteve ndërkombëtare;
- Mekanizmat që i garantojnë Agjencisë për Barazi Gjinore mundësinë e sigurimit të implementimit dhemonitorimit të akteve ligjore ndërkombëtare dhe Kosovare që mëtojnë të arrijnë barazinë gjinore;
- Dispozitat që garantojnë të drejtat e barabarta pronësore për femra dhe meshkuj;
- Referencat specifike të barazisë në martesë sa i përket pronës dhe relacioneve personale mes bashkëshortëve;
- Dispozitat që sigurojnë se punonjësit e të dy gjinive të marrin pagë të njëjtë për punë të njëjtë, si dhe të gëzojnë kushte dhe të drejta të njëjta në vend të punës; dhe
- Dispozitat që i garantojnë grave se nuk do të humbin shtetësinë pas martesës me të huaj.