RrGK dhe EULEX diskutojnë për dhunën në baza gjinore

Shefi i Misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark dhe Zyrtarja për të Drejtat e Njeriut, Valentina Vitali më 18 shtator kanë vizituar zyrën e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) me ç’rast u takuan me Drejtoren Ekzekutive të RrGK-së, Igballe Rogova dhe Drejtoren e Programit, Udhëheqësen e hulumtimit të RrGK-së, Nicole Farnsworth.  

Në këtë takim u diskutua për mundësitë e përmirësimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në rastet e dhunës me bazë gjinore në Kosovë; si dhe për rëndësinë e takimeve të rregullta ndërmjet EULEX-it dhe aktivistëve të shoqërisë civile për të drejtat e grave.  

Përfaqësueset e RrGK-së u interesuan se çka është duke ndërmarrë EULEX-i në mënyrë që vazhdojë trajnimet e policisë, prokurorëve dhe gjykatësve sa i përket institucionalizimit të trajnimeve të vazhdueshme për të krijuar qasjen e duhur për rastet e dhunës me bazë gjinore.  

“Ne u interesuam nëse ka diçka që monitoruesit e EULEX-it mund të bëjnë në lidhje me rastet civile nëpër gjykata për të siguruar që kur një krim të kryhet, si në rastet e dhunës në familje, ky krim të ndjeket në procedurë penale sipas detyrës zyrtare dhe jo të trajtohet vetëm si çështje civile për urdhëra mbrojtës”, u shpreh Farnsworth.  

Ndër të tjerash, u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet EULEX-it dhe RrGK-së.  

LEXO EDHEFillon fushata “Ma thuaj me kohë – dhuna seksuale është krim”