RrGK hap raundin e 13-të të Fondit të Grave, anëtaret vlerësojnë këtë mundësi  

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) më 21 qershor ka mbajtur sesion informues për raundin e 13-të të Fondit të Grave të Kosovës (FGK). 

Në këtë takim kanë marrë pjesë më shumë se 30 përfaqësuse të organizatave anëtare për t’u njoftuar nga afër me procesin e aplikimit dhe kushtet që duhet plotësuar. 

Diellza Olluri, Koordinatore e Projektit në FGK, fillimisht ka ndarë me të pranishmet procedurat e aplikimit, duke vënë theksin se idetë e projekteve duhet të kontribuojnë në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, përfshirë edhe fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë.                  

Olluri gjatë bashkëbisedimit me anëtaret ka shpjeguar edhe më tutje kriteret e përzgjedhjes, duke nënvizuar se rëndësi të madhe kanë nismat të cilat përfshijnë iniciativa avokuese. 

Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit organizatat mund të aplikojnë për dy lloje të granteve; grant avokimi individual për një organizatë të vetme, dhe grant avokimi në partneritet për ndryshim ku dy organizata mund të aplikojnë për një nismë të përbashkët. 

Në pajtueshmëri me Strategjinë e RrGK për vitet 2019-2022, llojet e iniciativave të cilave do t’u jepet prioritet për financim do të përfshijnë: Fuqizimin e lëvizjes feministe në Kosovë, Gratë në politikë dhe vendimmarrje, Të drejtat e grave në kujdesin shëndetësor, Jeta pa dhunë me bazë gjinore, Fuqizimi ekonomik i grave, Përmirësimi i qasjes në edukim cilësor dhe të ndjeshëm gjinor.  

Të pranishmet vlerësuan informatat e marra nga ky sesion informues, duke falënderuar edhe një herë RrGK-në që ofron këtë mundësi për organizatat anëtare që prej themelimit të Fondit në vitin 2012. 

Ky takim dhe raundi i 13-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) përkrahet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).  

Klikoni KËTU për të parë Thirrjen e plotë për Aplikim.