Gratë në Gjakovë mësojnë për të drejtat e tyre riprodhuese.

Shoqata për Edukim dhe Përkujdesje të Familjes

Shumë gra në Kosovë nuk kanë informata të mjaftueshme në lidhje me shëndetin riprodhues. Përveç kësaj, disa gra nga zonat rurale nuk shkojnë të vizitohen tek mjeku vetëm nëse janë të sëmura. Shoqata për edukim dhe kujdes familjar në Gjakovë filloi iniciativën e tyre për të trajtuar këto dy brenga. Organizata vendosi të ngrisë vetëdijën mbi kujdesin shëndetësor e sidomos kujdesin parandalues, në tri fshatra të komunës së Gjakovës.

“Unë isha në periudhën e menopauzës, por nuk e kuptova që isha shtatzënë deri në muajin e pestë," tregon një grua. "Këtë e mësova vetëm pas sesioneve informuese që ofroj projekti.”

Në këto sesione moren pjesë gjithsej 91 gra dhe vajza të etnive të ndryshme.

“Tani ato janë të vetëdijshme për rëndësinë e shëndetit riprodhues, procesit të planifikimit të familjes dhe rëndësinë e vizitave të rregullta te gjinekologu", thotë Bahrije Deva, drejtoreshë e organizatës.

Kjo nismë ka nxitur edhe një ndjenjë të vullnetarizmit në komunitet.
“Edhe pse përfundoi projekti, ne kemi vajza vullnetare. Ato mbajnë kontaktet me ne dhe na informojnë në lidhje me nevojat e grave në komunitetet e tyre. Gjithashtu ato kërkojnë ndihmë sipas nevojave të tyre", thotë Bahrije Deva.