Më 11 qershor organizata “Ruka Ruci” mbajti sesion informues me gratë serbe në Plemetin të Obiliqit për t’i njoftuar ato me nismën “Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë”.
Kjo nismë katër vjeçare që mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, zbatohet nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në partneritet me Ruka Ruci, Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) dhe Shoqata Evropiane e Grave Juriste (EWLA).
Nevenka Rikalo, Drejtore Ekzekutive e Ruka Rucit, ka ndarë me të pranishmet qëllimin dhe pritshmëritë nga realizimi i kësaj iniciative të përbashkët.
“Për ta rritur edhe më shumë fuqizimin e grave në vendimmarrje ne duhet të qëndrojmë të bashkuara. Për çdo problematikë gjinore të cilën e keni, ju mund të llogarisni në RrGK, aty mund t’i adresoni problemet tuaja lidhur me gjërat që ju mundojnë”, u shpreh ajo.
Rikalo po ashtu njoftoi gratë me dy bashkëpunime të vazhdueshme e shumë të rëndësishme të grave të cilat funksinojnë nën ombrellën e RrGK-së, përkatësisht me Koalicionin për Barazi (KB) dhe Lobin për Barazi Gjinore (Lobi).
Kurse, Zivadinka Radosavljevic, udhëheqëse e organizatës “Idemo Pravo” (Shkojmë përpara) në Plemetin, ka shprehur shqetësim lidhur me mungesën e qasjes në informacion të grave të këtij fshati.
Jelena Radosavljevic, motër medicinale, ka folur për sterotipet gjinore të cilat diskriminojnë gratë në vazhdimësi.
“Për çfarëdo nisme që merr, sado e zonja që je, ti prapë identifikohesh si grua, moralisht. Shumë vështirë është sepse të stigmatizon shoqëria dhe rrethi në përgjithësi. Madje edhe në shkollë nëse shkon si prind edhe ngrit një çështje të gjithë ta bëjnë me gisht. Si grua këtu nuk mund të bësh thuajse asgjë”, tha Radosavlevic.
Të pranishmet u pajtuan për rëndësinë e rritjes së numrit të grave në proceset politike dhe vendimmarrëse.
Takime të tilla deri më tani janë mbajtur edhe në Graçanicë, Novobërdë, Zubin Potok, Uglarë, si dhe në Mitrovicë Veriore.
Kjo iniciativë mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.
Më poshtë mund të gjeni më shumë informata lidhur me nismën ““Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë”.
Iniciativa e re synon të fuqizojë pjesëmarrjen e grave në politikë.
OPDMK avokon për pjesëmarrjen e grave me aftësi të kufizuara në politikë.
Ruka Ruci njofton gratë e Uglarës për “Fuqizimin e Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.