Kjo pyetje u ngrit gjatë aktivitetit “Ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, të organizuar nga Fondi Bullgar për Gratë (FBG) dhe Lobit Evropian për Gratë (LEG).
“Ne kemi ndikuar dhe vazhdojmë të përpiqemi”, tha zëvendësdrejtoresha dhe hulumtuesja kryesore e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Nicole Farnsworth.
Ajo tregoi se si aktivistet e të drejtave të grave në Kosovë janë bashkuar me organizata të tjera për të drejtat e grave në Ballkanin Perëndimor (BP) për më shumë se 15 vjet, kryesisht me mbështetje nga Fondacioni Kvinna till Kvinna dhe Suedia. Qëllimi ka qenë monitorimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) nga perspektiva gjinore dhe avokimi për një vëmendje më të madhe ndaj nevojave të ndryshme të grave dhe burrave në këto procese. Sukseset përfshijnë ndryshimin e qasjes së BE-së, e cila ka filluar të trajtojë barazinë gjinore si çështje të sundimit të ligjit, me rëndësi për gjyqtarët dhe prokurorët, dhe jo vetëm si çështje të barazisë gjinore, në raportet e Paketës së Zgjerimit. Gjithashtu, është rritur vëmendja ndaj çështjeve me rëndësi për gra dhe burra të ndryshëm në më shumë kapituj të këtyre raporteve. RrGK ka mbështetur gjithashtu më shumë grupe të ndryshme të të drejtave të grave që të kuptojnë më mirë procesin e anëtarësimit në BE, të angazhohen në këtë proces dhe të monitorojnë përparimin në nivel lokal, me qëllim të llogaridhënies dhe arritjes së rezultateve.
“Ne besojmë shumë në rrjetëzim,” shpjegoi Farnsworth. “E kuptuam shumë kohë më parë se çfarë ndodh në nivel të BE-së dhe globalisht ndikon tek ne dhe tek puna jonë, por nuk mund të kemi ndikim mbi këto politika vetë. Duhet të punojmë së bashku me rrjete dhe aleanca të tjera për të sjellë ndryshime.” Ajo shpjegoi gjithashtu se si organizatat për të drejtat e grave, përfshirë edhe si pjesë e Koalicionit EQUAPRO, kanë shfrytëzuar procesin e anëtarësimit në BE për të inkurajuar qeveritë e BP-së që të bëjnë përparim për të avancuar të drejtat e grave, duke i trajtuar ato si të drejta të njeriut.
Farnsworth ishte në Bruksel gjatë gjithë javës së kaluar në emër të RrGK-së, Rrjetit Mbikëqyrës së Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor dhe Rrjetit Evropian të Buxhetimit Gjinor, për të bërë avokim lidhur me Kornizën Shumëvjeçare Financiare (KShF) të BE-së, buxhetin e BE-së për vitet 2028-2034. Aktualisht, KShF-ja dhe rregulloret shoqëruese po negociohen nga Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian, dhe do të përcaktojnë financimin e disponueshëm për avancimin e barazisë gjinore, mbrojtjen e shoqërisë civile dhe mbështetjen e organizatave për të drejtat e grave në të ardhmen.
Duke njohur fuqinë e rrjeteve dhe koalicioneve, RrGK-ja ka bashkuar forcat me Rrjetin Mbikëqyrës së Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor, Rrjetin Evropian të Buxhetimit Gjinor dhe Lobin Evropian të Grave për të avokuar që barazia gjinore të përfshihet më qartë në KShF-në si një rezultat me tregues dhe ndarje të qarta buxhetore.
Në kuadër të bashkëpunimit me koalicione të tjera, RrGK u takua edhe me Grupin Punues të Financimit të Civil Society Europe, Concord-in, Zyrën Ndërlidhëse Evropiane për Ndërtimin e Paqes, Aleancën për Barazi Gjinore në Evropë, iniciativën “Walking the Talk” të ODI Europe, Friends of Europe dhe Prospera, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit drejt arritjes së synimeve të përbashkëta.
RrGK u takua gjithashtu me deputetët e Parlamentit Evropian, Alexandra Geese, Tomas Waitz dhe Ilhan Kyuchyuk, për të kërkuar mbështetjen e tyre për integrimin e perspektivës gjinore në buxhetin e BE-së.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, RrGK u takua gjithashtu me përfaqësues të Komisionit Evropian (KE) lidhur me Paketën e Zgjerimit, duke kërkuar që buxhetimi i përgjegjshëm gjinor të zbatohet si pjesë e Agjendave të Reformave në të gjithë BP-në, përfshirë edhe si pjesë e mbështetjes direkte buxhetore të KE-së për qeveritë. Kjo do të ishte plotësisht në përputhje me sundimin e ligjit, duke marrë parasysh se qeveritë e Ballkanit Perëndimor janë zotuar të zbatojnë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor si pjesë të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, ndër shumë zotimet të tjera ligjore. RrGK ndau gjithashtu rekomandimet kryesore nga Komenti i saj për Raportin për Kosovën 2025, analizat gjinore mbi paqen dhe sigurinë, joformaliteti dhe digjitalizimi, si dhe gjetjet kryesore nga analizat që priten të publikohen, si analiza gjinore mbi transportin dhe analiza e reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë.
RrGK u takua me përfaqësues të Civil Society Facility të KE-së për të kërkuar financim në mbështetje të organizatave për të drejtat e grave, që janë aktualisht të rrezikuara. Përfaqësuesit e KE-së deklaruan se shumica e financimeve lidhur me barazinë gjinore për shoqërinë civile do të sigurohen përmes UNDP-së dhe projektit të vazhdueshëm të UN Women, i financuar nga KE, për fuqizimin ekonomik të grave dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore, veçanërisht dhunës së mundësuar nga teknologjia. Disa fonde do të ndahen gjithashtu nga Fondi i BP-së përmes Fondit për Barazi Gjinore, i cili do të krijohet së shpejti. Ky fond është rezultat i avokimit të grupeve për të drejtat e grave gjatë Procesit të Berlinit për krijimin e një Fondi të tillë. Në të ardhmen, shumica e financimeve do të ofrohen përmes partneriteteve strategjike me shtetet anëtare të BE-së. RrGK kërkoi që KE të sigurojë që të gjithë implementuesit të bashkë-krijojnë programet dhe thirrjet për propozime me organizatat për të drejtat e grave, për të garantuar që financimi të përgjigjet nevojave aktuale dhe të mbështetet në përpjekjet, ekspertizën dhe rrjetet ekzistuese në rajon.
Për më tepër, e gjithë mbështetja e ardhshme financiare për shoqërinë civile do të lidhet me Agjendat e Reformave. Në vitin 2026 do të ketë mundësi për të avokuar që qeveritë dhe KE të përfshijnë më mirë perspektivën gjinore në këto Agjenda dhe të monitorojnë zbatimin e tyre nga perspektiva gjinore. Ndërkohë, bazuar në hulumtime të mëparshme nga RrGK dhe AWID, ndër të tjerët, RrGK theksoi rëndësinë e mbështetjes fleksibile dhe organizative për OShC-të, veçanërisht në rrethanat aktuale. Financimi i BE-së për “Grante operacionale” do të ofrohet vetëm në nivel kombëtar, dhe OShC-të janë inkurajuar të tregojnë pse kjo formë mbështetjeje është e nevojshme, përndryshe mund të tërhiqet në të ardhmen. Gjithashtu, KE planifikon të përgatisë udhëzime për veprimet e integrimit të perspektivës gjinore, duke përfshirë analiza gjinore që do të shërbejnë për udhëheqjen e hartimit dhe sigurimin e zbatimit të zotimeve.
Më 4 dhjetor, RrGK mori pjesë në Samitin vjetor të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Friends of Europe. Samiti u fokusua në tendencat gjeopolitike, duke diskutuar mbi procesin e anëtarësimit në BE bazuar në meritë kundrejt procesit politik, rritjen ekonomike dhe sundimin e ligjit. Lidhur me rritjen ekonomike, Farnsworth theksoi se ajo nuk mund të ndodhë pa gratë, pasi vetëm dy nga dhjetë gra janë pjesë e fuqisë punëtore në Kosovë. “Nëse vërtet duam të shohim rritje, duhet t’i përfshijmë gratë atje [në fuqinë punëtore],” tha Farnsworth. Ajo bëri thirrje për adresimin e shkaqeve rrënjësore të pjesëmarrjes së ulët, të identifikuara nga hulumtimet e RrGK-së dhe të tjera studime, përfshirë përmes transformimit të punës së pa-paguar në punë të paguar, duke adresuar kështu joformalitetin, si dhe përmes krijimit të shërbimeve të kujdesit dhe përmirësimit të transportit.
Lidhur me sundimin e ligjit, ajo theksoi rolin thelbësor që luajnë organizatat për të drejtat e grave në monitorimin e institucioneve të drejtësisë dhe në kërkimin e llogaridhënies nga ato lidhur me mënyrën se si trajtohen rastet e dhunës me bazë gjinore. Ajo vuri në dukje se organizatat për të drejtat e grave aktualisht përballen me një krizë financimi, e cila mund të kufizojë mundësinë e tyre për të vazhduar të jenë partner i BE-së në avancimin e reformave të sundimit të ligjit. Për këtë arsye, ajo bëri thirrje që BE-ja të sigurojë që Civil Society Facility dhe Planet e Rritjes të caktojnë fonde për kontributin e vazhdueshëm të organizatave për të drejtat e grave në procesin e anëtarësimit në BE.
“Nëse duam të mundësojmë rritjen ekonomike dhe të krijojmë një mjedis ku sundimi i ligjit respektohet, duhet të mbështesim shoqërinë civile,” u pajtua eurodeputeti Thomas Waitz, duke theksuar se një shumicë brenda Parlamentit Evropian është e përkushtuar ndaj këtij qëllimi.
