Avokimi kontribuon në aktakuza të rëndësishme në rastin e dhunës me bazë gjinore në Kosovë  

Avokimi dhe monitorimi i bërë nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), ka kontribuar që më 30 tetor 2019 të ngriten aktakuza shumë e rëndësishme kundër gjashtë të pandehurve, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kosovë.  

Rasti ka të bëjë me një vajzë, asokohe 16 vjeçare, e cila u dhunua seksualisht nga mësuesi i saj. Për më tepër, kur ajo raportoi rastin, u përball me dhunë seksuale edhe nga hetuesi policor. Katër persona të tjerë besohet se kanë abuzuar me të, duke përfshirë këtu edhe avokatin. Të gjashtë personat tani janë të akuzuar.  

Kur rasti u bë publik në shkurt të vitit 2019, disa media raportuan atë në mënyrë skandaloze, duke zbuluar në mënyrë të pandjeshme identitetin e vajzës. Pas kësaj, vazhduan raportime mediale dhe debate në rrjetet sociale të cilat “fajësonin viktimën” për dhunën seksuale të kryer ndaj saj, duke e vendosur kështu atë viktimën në fjalë në rrezik të madh.  

RrGK menjëherë kërkoi mbrojtje për vajzën dhe publikisht bëri thirrje që sistemi i drejtësisë të përkushtohet plotësisht në dënimin e krimeve të tilla kundër grave dhe vajzave. RrGK punoi me institucione për të siguruar mbrojtjen e plotë të saj nga abuzimet e tjera.  

RrGK po ashtu ishte pjesë e grupit organizativ që mblodhi shumë qytetarë dhe aktivistë për të protestuar në kërkim të drejtësisë. Më 7 shkurt u protestua në Prishtinë. Kurse, shumë protestues vazhduan edhe ditën e nesërme në Drenas, me ç’rast u marshua nga gjimnazi i kësaj komune për në Stacion të Policisë me sloganin “Pro Mësimit, Jo Përdhunimit”. Transporti në këtë protestë ishte i siguruar nga RrGK.  

Përfaqësues të RrGK-së dhe të Institutit të Kosovëpër Drejtësi (IKD) u takuan me prokurorin e rastit.  

Sipas Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit të RrGK-së, ky takim kishte për qëllim që të sigurojë se prokurori do të ndiqte hapat e duhur duke përdorur “qasjen e fokusuar në viktimën”, veçanërisht duke pasur për bazë “ndjeshmërinë e rastit për shkak të moshës së re të vajzës”.  

Është shumë zhgënjyese që qasja e “fajësimit të viktimës” është ende e përhapur, dhe kjo gjë ndikon në trajtimin e rastit”, thotë Qosaj-Mustafa. 

Kujtojmë se edhe raporti i RrGK-së “Nga fjalët në Vepra?”, i publikuar në 2018 më mbështetjen e ADA-s, ka gjetur se disa përfaqësues institucional ende fajësojnë viktimën për krimin që u ka ndodhur.   

“Këto akuza të ngritura nga prokurori tregojnë rolin e shoqërisë civile në monitorimin e të drejtave të viktimave gjatë procedurave kriminale”, ka shtuar Qosaj-Mustafa. “Do të vazhdojmë me monitorim aktiv të këtij rasti dhe vazhdimisht do të kërkojmë që të realizohen të drejtat e viktimës, ashtu siç garantohen nga ligji, sado që fatkeqësisht ligji ende nuk po zbatohet krejtësisht”.  

Rezultatet e avokimit të bërë nga RrGK, së bashku me atë të aktivistëve të tjerë dhe të qytetarëve, mund të vërehen me këto aktakuza të ngritura së fundi. Megjithëse për historitë e abuzimeve institucionale është pëshpëritur prapa mureve, ato asnjëherë më parë nuk janë bërë kaq publike.  

Në pikëpamjen e RrGK-së, këto aktakuza që përfshijnë një gamë të gjërë institucionesh të dyshuara për përfshirjen në abuzim me të miturën, paraqesin një ndryshim të rëndësishëm të reagimit publik karshi dhunës ndaj grave, si dhe flasin për përfshirje më të madhe të qytetarëve për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi. Kjo si rezultat i përpjekjeve të kahmotshme që RrGK, në mesin e organizatave të tjera, ka ndërmarrë për ngritje të ndërgjegjësimit përmes fushatave vetëdijësuese, monitorimit dhe avokimit. Kjo dëshmon se puna dhe mbështetja afatgjatë për një çështje kaq të rëndësishme me kalimin e kohës kontribuon në arritjen e rezultateve.  

“Jeta pa dhunë me bazë gjinore” mbetet një nga fushat problematike në të cilat është e përqendruar Strategjia e RrGK-së 2019-2022.  

*****

Gjeni KËTU akuzat ndaj të pandehurve.  

KËTU një artikull i shkruar së fundi nga BBC lidhur me këtë rast (I qasshëm vetëm në gjuhën angleze). 

Më 6 Nëntor RrGK në Drenas ka hapur ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, mbështetur nga ADA.  

*****