FAGj avokon për rifunksionalizimin e Mekanizmit Koordinues

Femrat Aktive të Gjakovës, me nismën “Zhvillimi i një sistemi ndër institucional të qëndrueshëm për adresimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje në komunën e Gjakovës”, mbajtën seanca ndërgjegjësuese me qëllim të vetëdijësimit  rreth një ndërhyrje konkrete dhe nismave të qarta kundër dhunës ndaj grave, kjo përmes funksionimit të Mekanizmit Koordinues në mënyrë efektive.

Nga nëntori deri ne mars, gjatë katër muajve të realizimit të aktiviteteve dhe takimeve të rregullta, FAGj arriti të ndikojë në ngritjen e vetëdijësimit te 356 gra e vajza dhe 241 burra e djem, në total 597 përfitues.

E gjithë kjo u arrit duke marrë parasysh të gjithë gatishmërinë e aktorëve kryesorë në mekanizëm, si dhe nxitjen e kësaj iniciative për të ndihmuar viktimat e dhunës në familje.

Përfituesit kryesor të këtij projekti ishin gratë dhe familjarët e të mbijetuarave nga dhuna në familje në komunën e Gjakovës dhe fshatrat me komunitet pakicë si: Skivjan, Planqor, B.Bokës, Duzhnje, Damjan 1 dhe 2, Dujakë, Bec, Dol, Orize, Ponoshec, Koronicë, Gropishtë, Piskotë, Brekoc, Koloni, dhe Gropishtë.

Kjo nismë ka ndihmuar në krijimin e një bashkëpunimi më të ngushtë ndër-instutucional për gratë dhe vajzat apo anëtarët e tjerë – viktima të dhunës në familje. Në të njëjtën kohë, duke ndikuar shumë në parandalim, si dhe duke ju përgjigjur në mënyrë të menjëherëshme rasteve të cilat sapo kanë ndodhur me qëllim të zvogëlimit të pasojave.

FAGj hartoi këtë iniciativë me aktivitete të shumta që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në parandalimin e dhunës në familje, aktivitete si:

  • Ofrimi i shërbimeve multi-disiplinare nëpërmjet takimeve për menaxhimin e rasteve;
  • Ofrimi i mbështetjes direkte emergjente, për rastet që pësojnë dhunë në familje dhe paraqiten në polici dhe QPS në Gjakovë;
  • Prodhimi i materialeve sensibilizuese në kuadër të Fushatës Ndërkombëtare të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe Dhunës në Familje;
  • Ofrimi i sesioneve informuese për nxënësit e shkollave të ciklit të ultë dhe të lartë në lidhje me dhunën në familje dhe rolin e Mekanizmit Koordinues;
  • Organizimi i një emisioni në Radio Gjakova me tematikë çështjen e barazisë gjinore dhe dhunës në familje.

Drejtorja e organizatës FAGj, Valbona Rizvanolli, theksoi rëndësinë e Mekanizmit Koordinues për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Valbone Rizvanolli, Drejtore e organizatës FAGj, gjatë vizitave në terren si pjesë e aktivitetit “Derë në Derë”, Dhjetor 2019, Gjakovë

“Nisur nga numri i rasteve të paraqitura për ndihmë në këto vitet e fundit, si dhe nga eksperienca e funksionimit të këtij mekanizmi, po del gjithnjë e më në pah nevoja e rritjes së efektivitetit të tij, pasi nëse bashkohen energjitë dhe burimet e të gjithë antarëve, situata mund të përmirësohet ndjeshëm dhe shumë më shpejt, sesa nëse veprohet veçmas nga institucionet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, në bazë të legjislacionit ekzistues në Kosovë.” tha Rizvanolli.

Po ashtu, ka ndikuar në rritjen e efektivitetit të adresimit dhe përgjigjjes institucionale të Mekanizmit Koordinues për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, përmes rigjallërimit dhe monitorimit të funksionimit të kësaj strukture. Përmes aktiviteteve të kësaj iniciative u arrit rigjallërimi, përmirësimi dhe fuqizimi i kapaciteteve institucionale të Mekanizmit Koordinues për ofrimin e mbrojtjes adekuate dhe shërbimeve cilësore për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.

Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), si dhe është financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).