Konsultim i Nivelit te Larte Rreth Procesit te Integrimit Evropian dhe Barazise Gjinore

Me 30 qershor në Prishtinë u mbajt konsultim i nivelit të lartë rreth procesit të Integrimit Evropian dhe Barazisë Gjinore. Ishte hera e parë që një mbledhje e tillë zuri vend në objektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ishte hera e parë që në një konsulltim të këtij lloji nga të pranishmit ishte edhe kryeministri i Kosovës z. Isa Mustafa. Në takim morrën pjesë edhe Ministri i Integrimeve Evropiane z. Bekim Qollaku, përfaqësues nga shoqëria civile, nga Agjencia për Barazi Gjinore në Kosovë përfaqësues të ndryshëm të organizatave vendore dhe ndërkombëtare përfshirë drejtoren ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) Igballe Rogova, Flora Macula Drejtore e UN Women në Kosovë, Sibel Halimi sociologe dhe ligjeruese në Universitetin e Prishtinës, Edi Gusia Kryeshefe Ekzekutive e ABGJ – së dhe  Luljeta Demolli, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare per Studime Gjinore.    
    Gjatë takimit Rogova potencoi se “Duhet të ekzistoj përkushim më serioz në raport me barazinë gjinore dhe të drejtat e grave nga ana e institucioneve e sidomos nga Ministria e Integrimeve Evropiane që barazia gjinore të jetë prioritet përgjatë këtij procesi të rëndësishëm të integrimit ”. Ndërsa, kryeministri Mustafa theksoi se ”pa gratë dhe vajzat ne nuk mund të bëjmë asgjë jo vetëm nga fakti se gjysmën e popullsisë e përbëjnë gratë por edhe nga fakti se të gjitha studimet tregojnë se në  vendet ku ka angazhim më të madh të gruas në proceset ekonomike dhe proceset zhvillimore ato vende janë  më të zhvilluara”. Duke parë rëndësinë e procesit të anëtarsimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe arritjen e barazisë gjinore përgjatë këtij procesi si një faktor kyç, barazia në mes individëve u cilësua si thelbi i demokracisë. Pa arritjen e barazisë gjinore nuk mund të konsiderojmë demokracinë si të plotë. 
   Më tutje u diskutua se si mund të avancohet barazia gjinore në Kosovë duke punuar së bashku me shoqërinë civile në kuadër të procesit të integrimit evropian, në veçanti në procesin e zbatimit të MSA-së. Deliu – Kodra, Kryetare e Grupit të  Grave Deputete të  Kuvendit të  Republikës së Kosovës  theksi se “me gjithë kuadrin ligjor që Kosova e ka mbesin sfida në implementimin e ligjeve dhe forcimin e mekanizmave të cilët rregullojnë këto ligje”. 
Ky konsultim u organizua nga Ministria e Integrimit Evropian, Zyra e Kryeministrit – Agjencia për Barazi Gjinore në Kosovë dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore, anëtare e RrGGK-së.