RrGK i informon gratë e Lipjanit, Skenderajt dhe të Mitrovicës për diskriminim në punësim dhe raportimin e tij

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përgjatë muajit shkurt ka mbajtur tri punëtori në Lipjan, Skenderaj dhe Mitrovicë me gra, vajza punëkërkuese dhe ndërmarrëse për t’i njoftuar ato me kornizën ligjore për diskriminimin me baza gjinore në tregun e punës.

Gjatë punëtorive, Koordinatorja e Projektit në RrGK, Adelina Tërshani, i ka informuar gratë dhe vajzat për kornizën ligjore.

Ajo theksoi se gjetjet kryesore të hulumtimit të RrGK-së, “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë”  tregojnë se kuadri ligjor nuk është i harmonizuar dhe punëtoret dhe punëtorët që duan t’i adresojnë rastet e tyre nuk dinë saktësisht cilit ligj t’i referohen. Tërshani ka shpjeguar edhe procedurat e parashtrimit të padive.

“Ligji i Punës ende nuk është në harmoni me Direktivën e Bashkimit Evropian (BE) për Balancin Punë-Jetë. Rrjeti i Grave me shumë organizata tjera po mundohet t’i çojë përpara rekomandimet që duhet të përfshihen në Ligjin e Punës e që janë në harmoni me direktivën e BE-së,” tha ajo.

Tutje, Koordinatorja e Projektit dhe Asistentja Ligjore në RrGK, Valmira Rashiti, duke folur për kornizën ligjore mbi diskriminimin në baza gjinore në tregun e punës tha se RrGK po mundohet të gjejë mënyra se si mund të zbatohen mekanizmat e duhur.

SONY DSC

“Edhe pse korniza ligjore mund të jetë e ndërlikuar, është me rëndësi të dimë cilët janë mekanizmat referues për të raportuar rastet e diskriminimit, brenda komunitetit ku veprojmë,” theksoi Rashiti.

Pjesëmarrëset e punëtorive kanë treguar përvojat e tyre në lidhje me mosrespektimin e Ligjit të Punës.

“Kam punuar tetë vjet në një biznes privat dhe asnjëherë nuk kam pasur pushim vjetor, pushim për festa e as të lehonisë. Nëse e kam marrë pushimin vjetor, nuk jam paguar për ato ditë,” tregoi përvojën e vet Serbeze Zabeli nga Skënderaj.

Disa gra ish-ndërmarrëse kanë treguar se si është dashur që të heqin dorë nga biznesi i tyre për shkak të vështirësie që kanë hasur vetëm për shkak të gjinisë.

“Unë kam punuar disa vjet në një biznes personal, por më është dashur ta mbyll atë për shkak të ngacmimeve seksuale që më bëheshin nga persona që vinin në dyqan. Bashkëshortit nuk i kam treguar sepse jam frikësuar nga më e keqja dhe si rrjedhojë e kam mbyllur biznesin, “tha një pjesëmarrëse.

Duke treguar për një rast të ngacmimit përmes telefonit, një pjesëmarrëse e punëtorisë  i inkurajon të gjitha gratë dhe vajzat që të raportojnë secilën formë të diskriminimit.

Një pjesëmarrëse thotë se punëtoria e RrGK-së është shumë e dobishme.

“Trajnimet janë shumë të mira si për ne ashtu edhe për të rinjtë. Është mirë që vajzat e djemtë e rinj ta përqafojnë konceptin e mos diskriminimit dhe ta zbatojnë atë në praktikë,” thotë aktivistja Valbona Salihu.

RrGK punon vazhdimisht që të luftojë diskriminimin me bazë gjinore në punësim. Për më shumë informata shfletoni raportin e RrGK-së “Diskriminimi me Bazë Gjinore dhe Punësimi në Kosovë”.

Këto punëtori u mbështeten nga Bashkimi Evropian dhe u bashkë-financuan nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Sida).

#DiskriminimiBënDëm

#PunëPaDiskriminim