ShMAKS avokon për përkrahje institucionale për fuqizimin e rolit të mamive në Kosovë

Me 9 shtator, Magbule Elezi, Kryetare e Shoqatës së Mamive të Kosovës (ShMAKS), organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), u takua me Ministrin e Shëndetësisë për të diskutuar rëndësinë e përfshirjes së rolit dhe interesave të mamive të Kosovës në Ligjin e Shëndetësisë.  

ShMAKS ka avokuar për përkrahje institucionale për fuqizimin e rolit të mamive në Kosovë edhe në të kaluarën falë mbështetjes së marrë nga Fondi i Grave të Kososvës (FGK). 

“Promovimi i shëndetit të nënës dhe fëmijës përmes fuqizimit të rolit të mamisë”, është nisma e ShMKS-ut, e cila u realizua me qëllim të rritjes së vetëdijes ndaj punës së palodhshme të mamive. 

“Mbi 930 mami në Kosovë, nuk gëzojë status të veçantë krahasuar me profesionistët tjerë shëndetësorë dhe roli i tyre nuk është i definuar në të gjitha  nivelet e shërbimeve shëndetësore.” u shpreh Elezi.  

“Fuqizimi i rolit të mamive në Kosovë dhe rifunksionalizimi i materniteteve në Kosovë janë dy kërkesat tona të vazhdueshme qe ju kemi drejtuar politikëbërësve dhe komisionit të shëndetësisë në Parlamentin e Kosovës.” shtoi ajo.  

Gjatë kësaj periudhe të realizimit të aktiviteteve, ShMAKS hartoi kërkesat për t’i drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për organizimin e grupit punues në lidhje me hartimin e profesionit, rolit, përgjegjësive dhe detyrave të mamisë. Gjithashtu, ShMAKS mbajti takime me gratë dhe vajzat në Kaçanik, Podujevë dhe Istog duke përfshirë 7-10 pjesëmarrës, me qëllim të dhënies së këshillave dhe informatave me rëndësi lidhur me shëndetin e tyre. 

Photo copyright © Ministra e Shëndetësisë