RrGK e shqetësuar për ndryshimet e përgjegjësive qeveritare në ofrimin e shërbimeve sociale

Download File

03 prill 2023

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti,

I nderuari Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati,

E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,

I nderuari Ministër i Shëndetësisë, z. Arben Vitia,

Po ju drejtohem në emër të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), si një rrjet prej 139 organizatash të ndryshme për të drejtat e grave, të angazhuara në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave dhe vajzave, që të shpreh shqetësimin tonë lidhur me ndryshimet e fundit në përgjegjësitë e ministrive, përkitazi me shërbimet sociale dhe mungesën e konsultimit me palët kryesore të interesit përpara se të bëhen ndryshimet e tilla drastike, duke përfshirë konsultimet e pamjaftueshme me organizatat për të drejtat e grave (OSHCG-të), përfshirë këtu RrGK-në si eksperte për këto çështje.

Në vitin 2020, Qeveria e koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) vendosi, pa konsultime të duhura publike apo konsultime me ekspertë si RrGK-ja, të shkrijë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT). Në vitin 2021, Lëvizja Vetëvendosje! erdhi në pushtet si një parti politike e qendrës së majtë me premtimet se siguria sociale do të ishte prioritet, siç edhe theksohet në disa seksione të programit të saj partiak të vitit 2021.[1] RrGK-ja shpresonte se nga këto zotime do të përfitonin qytetarët që jetojnë në margjina dhe do të përmirësohej jeta e tyre, veçanërisht e grave, përmes forcimit të shërbimeve sociale. Fatkeqësisht Qeveria e tanishme e Kosovës vazhdoi administrimin e shërbimeve sociale në kuadër të MFPT-së dhe ka pasur pak ose aspak progres në ligjet kryesore që presin miratimin për përmirësimin e shërbimeve sociale, ndërkohë që ka vazhduar mungesa e financimit sistematik të tyre.

Në konferencën e organizuar nga Këshilli i Evropës, me datë 29 mars 2023, u theksua se nga ky vit Departamenti për Politika Sociale dhe Familjare ka kaluar në Ministrinë e Drejtësisë. Burime të tjera, na kanë informuar se ka ndryshuar struktura ku ky Departament është shëndëruar në Divizon për Politika dhe Shërbime Sociale. Sipas këtij burimi, bazuar në Ligjin për Buxhet 2023, Sherbimet Sociale, Mbrojtja e Fëmijëve, Këshilli i Përgjithshëm, dhe Inspektimi kanë kaluar në Ministrinë e Drejtësisë. Tutje, kemi kuptuar se shërbimet sociale për persona me aftësi të kufizuara kanë kaluar në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa menaxhimi i institucioneve rezidenciale ka kaluar në Ministrinë e Shëndetësisë.  I tërë ky ndryshim është bërë pa ndonjë konsultim publik, ndërsa ende nuk është aprovuar rregullorja që përcakton fushat e përgjegjësisë së qeverisë. Andaj, konsiderojmë se një vendim i tillë, pa një legjislacion sekondar që ndan qartazi këto përgjegjësi, pa konsultim apo paralajmërim paraprak, është shqetësues.

 Jemi shumë të shqetësuara me këto ndryshime të cilat prekin anëtaret tona të ndryshme dhe gratë të cilave u shërbejnë, duke përfshirë personat me aftësi të kufizuara, viktimat/të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore si dhe kategori të tjera të cënueshme. Jemi thellësisht të shqetësuara se këto ndryshime mund të vonojnë edhe më tej finalizimin dhe miratimin e legjislacionit vendimtar megjithëse ende të pa miratuar përkitazi me shërbimet sociale, cilësinë e shërbimeve sociale dhe ndarjen e buxhetit të mjaftueshëm për këto shërbime. Shqetësimet tona burojnë nga ekspertiza, hulumtimet dhe provat tona gjithëpërfshirëse të mbledhura përgjatë dy dekadave të fundit. Më saktësisht, jemi të shqetësuara se:

  1. Shërbimet sociale fillimisht nuk ishin pjesë e mandatit të Ministrisë së Drejtësisë.[2] Duke pasur parasysh ngarkesën me punët ekzistuese të Ministrisë, jemi të shqetësuara nëse do të ketë burime të mjaftueshme njerëzore për të marrë përsipër përgjegjësitë e mëdha që vijnë nga mbikëqyrja e shërbimeve sociale. Shërbimet sociale për personat që vuajnë nga dhuna me bazë gjinore kërkojnë një qasje profesionale nga psikologë dhe punonjës social të trajnuar, e të çertifikuar. Ne jemi të brengosura dhe me mëdyshje nëse Ministria e Drejtësisë ka ekspertizën përkatëse për të monitoruar dhe për të siguruar ofrimin e shërbimeve cilësore, pasi kjo punë është jashtë mandatit të saj. Ne kemi propozuar disa kërkesa në lidhje me përgjegjësitë dhe kriteret minimale sa i përket kompetencave në komentet tona si për Projektligjin për Shërbimet Sociale (Shtojca 1) edhe për Projektligjin që rregullon dhunën me bazë gjinore (Shtojca 2) në përputhje me Konventën e Stambollit. Çdo Ministri që ofron mbikëqyrjen duhet të ketë kualifikimet e nevojshme për monitorimin e duhur të këtyre shërbimeve.
  2. Transferimi i këtyre kompetencave në Ministrinë e Drejtësisë ka mundësi të kontribuojë në vonimin e mëtejshëm të miratimit të këtyre ligjeve kyçe, të cilat tashmë janë vonuar dhe janë thelbësore për përmirësimin e shërbimeve thelbësore në përputhje me Konventën e Stambollit. Tashmë projektligjet e sipërpërmendura do të duhet të rishikohen për të qartësuar detyrat dhe përgjegjësitë e reja. Lidhur me këtë, ne mbetemi të shqetësuara se a do të arrijnë Qeveria dhe Kuvendi që rekomandimet tona të parashtruara më parë për këto projektligje kyçe të trajtohen, për të siguruar ofrimin, financimin, monitorimin dhe koordinimin e shërbimeve kyçe për personat që kanë pësuar dhunë me bazë gjinore, sipas kërkesave të Konventës së Stambollit. Veçanërisht pasi projektligji i fundit për dhunën me bazë gjinore në Kuvend nuk i trajtoi sugjerimet tona dhe për këtë arsye nuk është në përputhje me Konventën e Stambollit.
  3. Trajtimi i aftësisë së kufizuar si problem shëndetësor është diskriminues dhe nuk është në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD), një traktat ky ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, i ratifikuar nga OKB-ja në vitin 2008. Konventa e njeh aftësinë e kufizuar si “një koncept që evoluon dhe se aftësia e kufizuar rezulton nga ndërveprimi ndërmjet personave me aftësi të kufizuar dhe barrierave të qëndrimit/mentalitetit dhe ambientit që pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri në bazë të barabartë me të tjerët”, që shënon një zhvendosje të paradigmës nga të kuptuarit e aftësisë së kufizuar si një gjendje mjekësore në atë që e sheh aftësinë e kufizuar si efektin e ndërveprimit midis dëmtimit të një individi dhe barrierave që i krijon shoqëria.[3] Është përgjegjësi e shtetit të sigurojë ekzistimin e kushteve sociale, ekonomike dhe fizike për t’u mundësuar personave me aftësi të kufizuara mundësinë që të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në shoqëri. Tutje, neni 19 shpjegon rëndësinë e asistentëve personal për një jetë të pavarur dhe i detyron shtetet “të kenë akses ndaj një game të gjerë shërbimesh mbështetëse në shtëpi, shërbimesh rezidenciale dhe shërbimesh në komunitetet dhe të parandalojnë izolimin dhe veçimin e tyre nga komuniteti”. Neni 6 njeh pabarazitë dhe barrierat unike të shumëfishta me të cilat mund të përballen gratë me aftësi të kufizuara dhe u bën thirrje shteteve të ofrojnë shërbime mbrojtëse shtesë: “1. Shtetet Palë pranojnë se gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuar janë objekt i një diskriminimi shumëformësh dhe për këtë do të marrin masa për t’u siguruar se ato gëzojnë në mënyrë të plotë dhe të barabartë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.2. Shtetet Palë duhet të marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar zhvillimin, përparimin dhe fuqizimin e plotë të grave, me qëllim që t’u garantohet ushtrimi dhe gëzimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të përcaktuara në këtë Konventë”.[4] Edhe pse Kosova nuk e ka ratifikuar Konventën, këto praktika dhe qasje më të mira duhet të merren në konsideratë dhe të zbatohen nga Kosova në rrugën përpara. Për më tepër, Komisioni Evropian miratoi kohët e fundit Strategjinë Evropiane për Aftësitë e Kufizuara 2021-2030, e cila synon të fuqizojë individët me aftësi të kufizuara dhe të eliminojë barrierat.[5] Kosova gjithashtu duhet të përpiqet të lëvizë në këtë drejtim si pjesë e ambicieve të saj për anëtarësim në BE. Si përfundim, aftësitë e kufizuara nuk duhet të trajtohen nga Ministria e Shëndetësisë, por në vend të kësaj ato të trajtohen si një shërbim social, apo si çështje e të drejtave të njeriut.

Për të mbrojtur gratë dhe vajzat, në përputhje me angazhimet ndërkombëtare dhe qeveritare, ndër të tjera, RrGK-ja rekomandon që Qeveria e Kosovës:

  1. Të rihapë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe t’ia rikthejë përgjegjësitë si më parë. Zhvendosja e përgjegjësive në një ministri tjetër nuk ka trajtuar dhe nuk do t’i trajtojë në mënyrë të qëndrueshme çështjet dhe sfidat themelore që ekzistojnë. Në vend që t’i zhvendosë përgjegjësitë, Qeveria duhet t’i përqendrojë energjitë e saj në qartësimin e përgjegjësive brenda kornizës ligjore, duke ndarë buxhet të mjaftueshëm për to dhe duke monitoruar në mënyrë aktive zbatimin e tyre. Për këtë, RrGK-ja ka ofruar sugjerime shumë të qarta në dy projektligjet e lartpërmendura që do të qartësonin këto detyra dhe përgjegjësi, duke i mundësuar Qeverisë që t’i mbajë akterët përgjegjës për obligimet e tyre ligjore. Vendosja në mënyrë të qartë e përgjegjësive në ligjet e lartpërmendura, së bashku me ndarjet e duhura buxhetore, do të adresojë shumicën e mangësive dhe çështjeve që ekzistojnë, pa pasur nevojë zhvendosjen e sërishme të përgjegjësive. Nëse zhvendosen këto përgjegjësi,e gjithë korniza ligjore do të duhet të rishikohet dhe të ndryshohet. Për më tepër, ne jemi të shqetësuara nëse këto ndryshime do të jenë gjithashtu të qëndrueshme në të ardhmen në rast të ndryshimeve të qeverisë dhe nëse ministrat e ardhshëm të drejtësisë mund të jenë po aq të përkushtuar për të çuar përpara reformat, të cilat mund t’i rrezikojnë këto procese.
  2. Të konsultoheni në mënyrë aktive me OSHCG-të që kanë njohuri për shërbimet sociale, përfshirë RrGK-në, për të bërë reforma të bazuara në dëshmi.
  3. Pas qartësimit të detyrave dhe përgjegjësive, të punoni me Kuvendin dhe Komisionet përkatëse të Kuvendit për të finalizuar këto ligje kyçe: Ligji për Parandalimin e Dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës me Bazë Gjinore (që është rekomanduar nga RrGK-ja që të riformulohet si Ligji për Parandalimin, Mbrojtjen dhe Rehabilitimin nga Dhuna me Bazë Gjinore); Ligji për Shërbimet Familjare dhe Sociale; dhe Ligji për Strehimin Social). Qeveria dhe Kuvendi duhet të konsultohen në mënyrë aktive me OSHCG-të që kanë njohuri në këtë proces, duke përfshirë RrGK-në, dhe të marrin për bazë rekomandimet dhe ekspertizën e tyre.
  4. Të sigurojë që monitorimi i shërbimeve gjithëpërfshirëse për viktimat/të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore duhet të mbetet brenda Departamentit për Politika Familjare dhe Sociale, pasi është e rëndësishme që të mbijetuarat të trajtohen dhe të mbështeten në mënyrë të duhur nga profesionistë të kualifikuar dhe të sigurohet rehabilitimi dhe riintegrimi i tyre. Duhet të ndahet buxhet i duhur dhe të inkurajohen komunat që të kërkojnë mjete për më shumë zyrtarë të shërbimeve sociale për të përmbushur nevojën e bazuar në dëshmi për më shumë burime njerëzore për trajtimin e rasteve. Formula e financimit të komunave dhe kërkesat që ato të ndajnë mjete të mjaftueshme duhet të qartësohen në kornizën ligjore, veçanërisht në Projektligjin për Financimin e Pushtetit Lokal, i cili aktualisht është duke u ndryshuar. Kjo përfshin sigurimin e buxhetimit të përgjegjshëm ndaj gjinisë dhe ndaj fëmijëve si pjesë e formulës së financimit të komunave e cila kërkon që komunat të ndajnë buxhet të mjaftueshëm për shërbimet sociale.
  5. Të trajtojë aftësinë e kufizuar jo si problem shëndetësor por të fokusohet në krijimin e infrastrukturës që respekton të drejtat dhe dinjitetin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe të mbështetë përfshirjen dhe angazhimin e tyre aktiv në shoqëri. Këto shërbime duhet të jenë në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe nëse kjo nuk është e mundur, atëherë si çështje e të drejtave të njeriut, në Ministrinë e Drejtësisë në kuadër të shërbimeve sociale të tjera nëse Qeveria insiston që të vazhdohet me këtë vendim.

RrGK-ja dhe anëtaret tona janë të përkushtuara që t’i japin prioritet vëmendjes ndaj grave që vuajnë nga varfëria, dhuna dhe diskriminimi për shkak të aftësisë së tyre të kufizuar. RrGK-ja ka kryer hulumtime të gjera në lidhje me buxhetimin e përgjegjshëm gjinor për shërbimet sociale,[6] dhunën me bazë gjinore,[7] diskriminimin me bazë gjinore,[8] gjinia dhe aftësia e kufizuar në të drejtën e BE-së,[9] dhe financimi i përgjegjshëm gjinor i shoqëruesve të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.[10] Hulumtimet dhe ekspertiza e RrGK-së munden dhe duhet të përdoren për të informuar proceset e rëndësishme të reformave të tilla ministrore si dhe për hartimin dhe finalizimin e ligjeve, politikave dhe programeve qeveritare. Përdorimi i analizave të tilla gjinore është me rëndësi thelbësore për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave dhe vajzave të ndryshme në Kosovë. Ne mbetemi të përkushtuara që të mbështesim qeverinë gjatë gjithë këtyre proceseve reformuese përmes ekspertizës sonë.

Për të diskutuar më tej zgjidhjet për krizën aktuale dhe për këto rekomandime, një takim do të ishte i mirëseardhur.

Sinqerisht,

Igballe Rogova

Drejtore Ekzekutive

Rrjeti i Grave të Kosovës


[1] Lëvizja Vetëvendosje, Prioritetet për KREJT qytetarët DREJT së ardhmes.

[2] Republika e Kosovës, Ministria e Drejtësisë, Detyrat dhe përgjegjësitë: https://md.rks-gov.net/page.aspx?id=1,6.

[3] RrGK, Gjinia dhe aftësia e kufizuar në të drejtën e BE-së: Një qasje ndërsektoriale për të siguruar informata për kornizën ligjore të Kosovës.

[4] Organizata e Kombeve të Bashkuara, Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD).

[5] Bashkimi i barazisë: Strategjia për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara 2021-2030 – Punësimi, Çështjet Sociale dhe Gjithëpërfshirja – Komisioni Evropian (europa.eu)

[6] RrGK, Buxhetimi drejt Mirëqenies Sociale, 2014 dhe Buxhetimi drejt Mirëqenie Sociale: Analizë gjinore+ për informimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë 2016-2018.

[7] RrGK, Hulumtim kërkimor mbi nivelin e Dhunës në Baza Gjinore në Kosovë dhe ndikimi i tij në Shëndetin Riprodhues të Grave, 2008; Siguria fillon në shtëpi, 2008; Më shumë se “Fjalë në letër”? Reagimi i ofruesve të drejtësisë ndaj dhunës në familje, 2009; Me çfarë çmimi? Alokimet buxhetore për zbatimin e kornizës ligjore kundër dhunës në familje, 2012;Mjaft më me arsyetime, 2015; Ngacmimet seksuale në Kosovë, 2016; Nga fjalët në vepra, 2017; dhe Nga ligjet në vepra, 2021.

[8] KWN, Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë, 2022.

[9] RrGK, “Gjinia dhe aftësia e kufizuar në të drejtën e BE-së: Një qasje ndërsektoriale për të siguruar informata për kornizën ligjore të Kosovës”, 2022.

[10] RrGK, “Financimi i përgjegjshëm gjinor për shoqëruesit e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë”, 2022.