RrGK mbajti mbledhjen e rregullt me anëtaret 

Para më shumë se 50 pjesëmarrësve, Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së e hapi mbledhjen e tretë të rregullt të anëtareve të mbajtur brenda këtij viti.

Rogova zgjodhi që këtë diskutim ta fillojë duke u sygjeruar të pranishmeve që të shohin filmin “Zana” të regjisores Antoneta Krasniqi, i cili shpalos tragjedinë dhe traumën që një nënë shqiptare mori nga lufta në Kosovë.

Duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Rogova tutje përmendi fushatën “Voto për më shumë gra në parlament”,  e cila u realizua në mbi 15 komuna të Kosovës, me rreth 200 vullnetarë të organizatave anëtare të RrGK-së.

“Ne e themi gjithmonë se ka shumë gra të forta në të gjitha listat. Personalisht kam dalur në terren me qytetarë dhe ishte shumë bukur sepse qytetarët vazhdimisht kanë thënë që ka ardhur koha t’i votojmë gratë”, u shpreh Rogova.

Përgjatë këtij takimi që u mbajt më 23 shtator, organizatat anëtare, përfaqësuese të Lobit për Barazi Gjinore (Lobi), institucioneve kosovare si dhe mbështetës të punës dhe kauzës së RrGK-së diskutuan për prioritetet dhe sfidat që hasin gjatë punës së tyre.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Shqipe Malushi tregoi se në terren ka hasur në bashkëpunim të madh për fushatën në fjalë.

“Çdo herë që vi në Kosovë po befasohem më shumë e më shumë me punën tuaj të vazhdueshme. Jam e lumtur që RrGK-ja na ka bashkuar të gjithave, po gëzohem shumë që po fuqizoheni më vendos vet, me apo pa kushte. Ne e bëjmë punën, e kushtet krijohen”, u shpreh Malushi.

Tutje, Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e hulumtimeve të RrGK-së ka treguar për avokimet që RrGK-ja është duke i bërë në vende të ndryshme.

“Kemi punuar shumë edhe me donatorët edhe në Kosovë, dhe jemi duke përkrahur ata që të përfshijnë perspektivën gjinore në programet e tyre”, tha ajo.

Në këtë takim të pranishmet patën rastin që nga Koordinatorja e Projektit në Fondin e Grave të Kosovës (FGK), Diellza Olluri të njoftohen nga afër me ecurinë e raundit të 13-të të FGK-së, i cili këtë vit përkrahet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).

“Gjithsej kemi pranuar 43 aplikacione, prej të cilave 14-16 do të jenë organizata përfituese. Tani jemi në fazën kur Komisioni i shqyrton projekt-propozimet, kurse në fund të tetorit do të bëhet përzgjedhja e organizatave”, ka shpjeguar Olluri.

Në pjesën e dytë të takimit, kur anëtaret po ndanin informatat lidhur me aktivitetet e tyre, fjalën e mori edhe Resmije Rrahmani nga Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK), e cila ka folur më shumë për iniciativën “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, në kuadër së cilës u realizua fushata e lartcekur për të votuar më shumë gra.

“Aktivitetet që i kemi bërë gjatë kësaj periudhe kanë qenë shumë të suksesshme, sepse gjithmonë kemi pasur më shumë pjesëmarrës me aftësi të kufizuara që kanë qenë entuziast të angazhohen në aktivitete. Edhe te grupi ynë ka diskriminime, prandaj ky është rast i mirë që gjatë këtij projekti katër vjeçar të na ofroni dorën e të bashkohemi”, tha ajo.

Për Rrahmanin është duke u punuar edhe një film, të cilin Rogova e vlerësoi si një projekt që ndihmon në fuqizimin e grave të tjera.

Temë e rëndësishme e këtij takimi ishte edhe ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” e cila ka qëndruar e hapur në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Gjakovë, dhe Ferizaj. Broshurën e kësaj ekspozite mund ta lexoni KËTU.

Gjithashtu, anëtaret u njoftuan me linjën telefonike që së fundi RrGK-ja ka lansuar për ndihmë dhe konsultim ligjor për viktimat e dhunës në familje që nuk kanë hasur trajtim të duhur institucional.

Ky takim u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).

Më poshtë mund të lexoni për dy mbledhjet e kaluara të anëtareve:

RrGK mbajti mbledhjen e parë me anëtaret për vitin 2019.

RrGK mbajti mbledhjen e dytë me anëtaret për vitin 2019.