RrGK mban trajnim me anëtaret për ngritjen e kapaciteteve të marrëdhënieve me publikun

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), më 1 dhjetor ka mbajtur trajnimin një-ditor “Marrëdhënie me Publikun dhe Komunikimi Efektiv”, me organizatat anëtare dhe ato përfituese nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK).  

Rreth 14 përfaqësuese të organizatave anëtare diskutuan së bashku për paraqitjet publike, rëndësinë e komunikimit të hapur dhe interaktiv me audiencën, si dhe për rëndësinë e përdorimit të rrjeteve sociale si mjet komunikimi. Ndër të tjerash u diskutua edhe për rëndësinë e brendimit, si dhe marrëdhëniet me mediat.  

“Kjo punëtori ishte shumë praktike dhe e dobishme, mësuam shumë për planifikimin strategjik të postimeve në rrjetet sociale si dhe rëndësinë e definimit të target grupit dhe krijimit të përmbajtjes në bazë të audiencës sonë”, tha Fidane Hyseni, Drejtore Ekzekutive e Qendrës për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës – QMGF “Raba Voca”.  

Theks gjatë punëtorisë u vu edhe në paraqitjen e organizatave para audiencave më të gjëra përmes shkrimit profesional dhe përmirësimit të pranisë në media dhe rrjete sociale. Pjesëmarrëset gjithashtu diskutuan planifikimin strategjik për shpërndarjen e mesazhit kyç te publiku, si dhe praktikat më të mira që ndikojnë në arritjen e audiencës në mënyrë organike. 

 “Një mënyrë për të rritur shtrirjen është duke paguar postime në rrjete sociale për të promovuar përmbajtjen tuaj. Ndërsa, një alternativë e arritjes për organizatat është edhe arritja organike e cila bazohet në cilësinë e përmbajtjes dhe teknikat e postimit”, u shpreh Rudina Voca, Koordinatore për Marrëdhënie me Publikun, RrGK, duke shtuar se “Së bashku diksutuam mbi këto metoda dhe sfidat që hasin organizatat në krijimin e një përmbajtje cilësore si dhe kreative.” 

Në pjesën e fundit, punëtoria u përqendrua në shkrimin profesional, ku të gjitha pjesëmarrëset patën mundësinë të përmirësojnë aftësitë e të shkruarit përmes ushtrimeve. Qëllimi ishte që pjesëmarrëset të japin vlerësime për të përmirësuar edhe më tej strategjinë e tyre të komunikimit. 

LEXO EDHE: OPDMK mban trajnim për ngritjen e kapaciteve të komunikimit